Dëmtohet edhe Sirigu, Mancini ndryshime në formacion për sfidën e Belfastit

Italia duhet të fitojë përballë Irlandës së Veriut, madje me shumë gola që të ruajë avantazhin e golave që ka kundrejt Zvicrës (për momentin +2) në garën për vendin e parë në grup, që jep kualifikimin direkt në fazën finale të Kupës së Botës, Katar 2022.

Prandaj tekniku Roberto Mancini ka në mendje dy risi në skuadrën “axurre” që do të luajë nesër në Belfast kundër Irlandës së Veriut, një sfidë që vlen kualifikim në Botëror. Skuadra ka nevojë për forca të reja për të kaluar murin e kundërshtarit, prandaj tekniku po mendon që të aktivizojë Tonalin dhe Berardin.

Milanisti pritet të luajë në mesfushë në vend të Locatellit, ndërsa sulmuesi i Sassuolos në vend të Belottit, që nuk gëzon akoma formën optimale.

Ndërkaq në skuadër ka ardhur një tjetër dëmtim, pas atyre të Calabrias, Bastonit dhe Biraghit: portieri i Genoas, Sirigu do të qëndrojë në shtëpi në këtë sfidë. /Oversport.tv