Sikur të mos mjaftonte humbja në minutat e fundit në Champions kundër Atletico Madrid, për Milanin vijnë lajme të këqija edhe nga Alessandro Florenzi.
Dëmtohet sërish anësori kuqezi, që vazhdon të ketë probleme në gjurin e majtë. Ish-lojtari i Romës dhe PSG-së, që luajti disa minuta kundër skuadrës së Simeones, do të kryejë një vizitë në “Villa Stuart” nesër, për të parë në detaje dëmtimin.
Dy hipoteza qarkullojnë aktualisht: ose një periudhë pushimi, ose një ndërhyrje e vogël. Vendimi do të merret nesër nga mjeku i njohur prof. Mariani. Florenzi nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës kundër Atalantës dhe do të mungojë edhe në ndeshjen e radhës së kombëtares italiane.
Nuk ka asgjë serioze Brahim Diaz, që doli i dëmtuar nga fusha kundër Atleticos. Numri 10-të i kuqezinjve do të jetë në dispozicion të Piolit për sfidat e radhës, ashtu si Kjaer, që ka filluar stërvitjet me grupin. E sigurtë mungesa e Zlatan Ibrahimovic në ndeshjen kundër Atalantës. /Oversport.tv