Denver Nuggets është kampioni i NBA për herë të parë, ndeshje fenomenale nga Jokic që shpallet MVP

Denver Nuggets është kampioni i ri i NBA. Skuadra nga Colorado fiton titullin e parë në historinë e saj dhe kurorëzohet si më e mira pasi mposht në finalen e 5-të Miami Heat dhe e çon rezultatin final në 4-1. Të udhëhequr nga ylli Nikola Jokic, Denver ka zhvilluar një vit fantastik duke e mbyllur sezonin e rregullt në vendin e parë, e më pas gjatë “play off”-it është treguar një makineri e vërtetë duke mposhtur çdo kundërshtar që i ka dalë përpara.

Në finalen e 5-të, Denver Nuggets triumfon në shifrat 94-89. Ndeshja nis mirë për Miamin që në dy periodat e para ka një strategjitë të mirë si në sulm edhe në mbrojtje duke krijuar një avantazh prej 7 pikësh. Kështu pjesa e parë mbyllet me rezultatin 51-44 në favor të Miamit.

Më pas është momenti për “show” nga Nikola Jokic & CO që arrijnë një përmbysje të madhe. Por deri në frymën e fundit ndeshja është shumë e luftuar ku skuadra që është në avantazh ndryshon vazhdimisht. Vetëm në minutën e fundit Denver arrin të realizojë 6 pikë radhazi për të krijuar edhe një distancë disi sigurie që në fund e shpall kampion të NBA për herë të parë.

Është padyshim ylli serb Nikola Jokic ai që realizon më shumë në këtë sfidë, duke e mbyllur ndeshjen në kuotën e 28 pikëve, 16 topa në tabelë e 4 asist. Me performancat e tij fantastike, Jokic shpallet gjithashtu edhe MVP i finaleve duke fituar trofeun Bill Russell. Nga ana tjetër Jimmy Butler dhe Bam Adebayo realizojnë respektivisht 21 dhe 20 pikë, por nuk arrijnë dot të ndryshojnë fatin e këtij takimi. /oversport.tv

Foto: Denver Nuggets, Twitter