Derbi i Madridit fitohet nga Reali, los blancos fluturojnë në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit

Real Madrid triumfon pas 120 minutave lojë kundër Atletico Madrid në Kupën e Mbretit me rezultatin 3-1 dhe fluturon për në gjysmëfinale. Kjo përballje u transmetua live në Oversport dhe platformën Tibo.

Derbi i Madridit nisi qetë fillimisht, me ekipet që studiuan lojën e njëra-tjetërës. Në minutën e 19’ ishte Atletico Madrid që zhbllokoi rezultatin dhe ndezi këtë super përballje. Alvaro Morata nuk e pati aspak të vështirë të dërgonte topin në rrjetë me një shërbim fantastik nga Nahuel Molina.

Real Madridi i ndezi motorrët pas disa minutash me Federico Valverde i cili dërgoi një goditje në portën e Oblak, por ky i reagoi mjaft mirë duke pritur goditjen e mesfushorit nga Uruguai. Pjesa e parë u mbyll në avantazhin e djemve të Simeones me shifrat 1-0.

Pjesa e dytë nisi me një ritëm tjetër ku të dyja skuadrat kërkuan më shumë golin. Për Atletico Madrid u akordoua një goditje dënimi që e ekzekutoi Griezmann, por Courtois iu kundërpërgjigj me një super pritje.

Kur ndeshja ishte drejt përfundimit, Rodrygo u shfaq nga stoli dhe barazoi shifrat për Real Madridin. Sulmuesi brazilian shënoi një gol fantastik duke dribluar mbrojtjen e “colchoneros” dhe në fund duke mposhtur Oblak. Koha e rregullt mes Real Madrid dhe Atletico Madrid u mbyll në shifrat 1-1, duke shkuar drejt kohës shtesë.

Në pjesën e parë të kohës shtesë skuadra e Simeone mbetet me 10 lojtarë, pasi Savic ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë. Kjo gjë duket se i penalizoi miqtë të cilët u ndëshkuan pas disa minutash nga Karim Benzema, i cili e pati shumë të thjeshtë në një pozicion që u gjend i vetëm. Qershia mbi tortë ishte Vinicius Junior i cili gjunjëzoi Atletico Madrid duke dërguar shifrat në 3-1. /oversport.tv

Foto: Real Madrid C.F., Facebook