Derbi i Manchester në merkato, luftë për yllin e Interit

Mbrojtësi i skuadrës së Interit, Alessandro Bastoni është nën kontratë me italianët deri në vitin 2024, por nuk është e sigurt nëse do të qëndrojë në Milano deri atëherë.

Italiani nuk ka rënë dakord për rinovim dhe duket se Interi nuk ka mundësi tjetër përveç shitjes së lojtarit. Kjo do të thotë se zikaltrit janë të detyruar ta shesin këtë merkato verore që të përpiqen të përfitojnë nga 23-vjeçari në vend që të rrezikojnë ta humbasin falas vitin tjetër.

“Citizens” besohet se po përgatit ofertën për mbrojtësin italian pasi Laporte është pranë largimit nga anglezët. Mbrojtësi i Interit pëlqehet nga Guardiola dhe mendohet si lojtari ideal për të sfiduar lojtarë si Akanji, Stones, Ake dhe Dias në repartin e mbrojtjes.

Ndërkohe interesimi i radhës është po në të njëjtin qytet, ku Erik ten Hag po kërkon gjithashtu të forcojë vijën e pasme. Edhe pse titullar të padiskutueshëm janë Martinez dhe Varane, dyshja e stolit Maguire dhe Lindelof pritet të largohen dhe afrimi i një tjetër qendërmbrojtësi në “Old Trafford” është i domosdoshëm.

Të dyja këto oferta e kanë tërhequr vëmendjen e Bastonit, por ky i fundit akoma nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me të ardhmen e tij. /oversport.tv