Derbi i Milanos, kush ka shënuar me fanellat e të dyja skuadrave?

Do të luhet të dielën në mbrëmje në “San Siro” ndeshja më e rëndësishme e javës në Serie A dhe një nga derbet më të bukura në Botë. Rivaliteti historik mes Milanit dhe Interit ka prodhuar gjithmonë spektakël në fushën e blertë të magjikut “San Siro”.

Të shumtë janë kampionët që kanë luajtur me fanellat e të dyja skuadrave të Milanos, por numërohen me gishtat e dorës ata që kanë gjetur rrugën e rrjetës në derbi si me Milanin edhe me Interin.

Ja kush janë ata që kanë bërë të festojnë (dhe të mërziten) tifozët zikaltër dhe kuqezi.

Giuseppe Meazza

I pari në listë qëndron legjendari Giuseppe Meazza, që ka shënuar 12 gola me fanellën e Interit në derbi (ka luajtur për zikaltërit nga viti 1927 deri në vitin 1940). Në vitet 1940-1942 transferohet tek Milani dhe gjen golin në derbin kundër Interit në 9 shkurt të vitit 1941.

Maurizio Ganz

Maurizio Ganz ishte një nga blerjet e para të Interit të Morattit (nga Atalanta) në vitin 1995. Sulmuesi qëndroi dy sezone te skuadra zikaltër dhe ka shënuar një gol në derbi. U transferua tek Milani në vitin 1997 dhe në dy sezone me fanellën kuqezi shënoi një gol në derbin kundër Interit.

Roberto Baggio

Roberto Baggio ka shënuar 2 gola me fanellën e Milanit në derbi. Në vitin 1998 rikthehet në Milano, por këtë radhë me fanellën zikaltër dhe shënon një gol në derbi.

Clarence Seedorf

Clarence Seedorf erdhi ke Interi në vitin 1999 dhe në tre sezone të kaluar me skuadrën zikaltër ka shënuar një gol në derbi. Në vitin 2002 u transferua te Milani (një shkëmbim me Coco) dhe qëndroi tek kuqezinjtë për 10 sezone (300 ndeshje në Serie A). 2 nga 47 golat e tij janë shënuar në derbin kundër Interit.

Ronaldo

Ronaldo ka luajtur për Interin nga viti 1997 deri në vitin 2002 dhe ka shënuar 4 gola në derbin kundër Milanit. U rikthye në Milano në vitin 2007 për të luajtur me kuqezinjtë, me të cilët shënoi në derbin kundër Interit.

Zlatan Ibrahimovic

Zlatan Ibrahimovic ka shënuar 2 gola në derbi me fanellën e Interit, pasi ka luajtur për zikaltërit nga viti 2006 deri në vitin 2009. Suedezi luan për Milanin në vitet 2010-2012 dhe shënon 2 gola kundër Interit. Të cilëve u shtohen edhe 4 të tjerë, që kur u rikthye te Milani në janar të vitit 2020. /Oversport.tv