Derbi i Milanos në Oversport dhe Tibo: Statistika dhe kuriozitete

Të dielën e 5 shkurtit në orën 20:45 do të luhet në “San Siro” derbi numër 178 mes Interit dhe Milanit në Serie A. Bilanci i deritanishëm anon nga zikaltërit që kanë fituar 67 ndeshje, 54 suksese kanë kuqezinjtë, ndërsa 56 sfida kanë përfunduar në barazim.

Kjo është hera e tretë që dy skuadrat e Milanos përballën këtë sezon: Milani fitoi ndeshjen e parë në kampionat 3-2, ndërsa Interi sfidën e Superkupës 3-0.

Në 8 derbet e fundit në të gjitha kompeticionet, Interi ka fituar 4 takime, Milani 2, ndërsa 2 sfida kanë përfunduar në barazim.

Milani ka fituar 2 derbet e fundit që ka luajtur në kampionat kundër Interit. Nëse fiton edhe sfidën e nesërme atëherë Milani do të triumfonte në të dy derbet e sezonit për herë të parë që nga sezoni 2010/2011 kur kuqezinjtë drejtoheshin nga Allegri.

Interi i ka humbur 2 derbet e fundit shtëpiak në kampionat me rezultatin 2-1.

Ky është derbi i 7-të mes dy teknikëve Simone Inzaghi dhe Stefano Pioli: bilanci është në ekulibër perfekt: 2 fitore për kokë dhe dy barazime.

Lautaro Martínez ka shënuar 6 gola kundër Milanit në të gjitha kompeticionet, ndërsa Olivier Giroud ka shënuar gol në dy derbet e parë që ka luajtur në kampionat kundër Interit. Asnjë lojtar i Milanit nuk ka arritur të shënojë në portën e ziklatërve në tre sfidat e tij të para kundër zikaltërve. / Oversport.tv