Derbi i volejbollit, Tirana merr komandën e kryeqytetit pa shkëlqim

Tirana ka fituar derbin kundër Partizanit në volejbollin e meshkujve dhe mban vendin e parë në kampionat. Djemtë bardheblu nuk është se shkëlqyen si zakonisht, por në fund dolën triumfues me rezultatin 3-2 (25:22, 17:25, 18:25, 25:21, 15:9).

Seti i parë nisi mirë për Tiranën, por më pas Partizani reagoi dhe e çoi ndeshjen në 11 – 11, për të kaluar edhe në epërsi 20-18. Gjithsesi bardheblutë në fund treguan forcën e tyre dhe e mbyllën 25-22.

Seti i dytë foli për Partizanin, edhe pse fillimi ishte i barabartë. “Demat” e mbyllën setin 25-17 dhe baraspeshuan ndeshjen në 1-1 me sete. Të kuqtë njëlloj bënë edhe në setin e tretë, që e mbyllën 25-18 dhe e përmbysën ndeshjen.

Tirana nuk mund të dorëzohej dhe në setin e katërt bënë një lojë më të mirë dhe me rezultatin 25-21 e çuan lojën në 2-2 me sete. Seti final ishte i ekuilibruar në fillim, pasi shkoi 8-8. Më pas bardheblutë e çuan në 13-8 dhe e mbyllën me fitoren setin final me rezultatin 15-9. / oversport.tv