Derbi në shifra: Bilanci anon nga Interi, Milani 5 vite që s’fiton “në shtëpi”

Të dielën në orën 20:45 do të rikthehet derbi i Milanos, një nga sfidat më të bukura të kampionatit italian, të cilën mund ta ndiqni live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

Ndeshja e nesërme do të jetë sfida numër 175 mes dy skuadrave në Serie A.

Precedentët

Bilanci i takimeve të mëparshme anon nga Interi, që ka arritur 67 suksese në derbi, 52 ndeshje janë fituar nga Milani, ndërsa 55 takime kanë përfunduar në barazim.

Në 174 ndeshjet që janë luajtur deri tani, Interi ka shënuar 246 gola, ndërsa Milani ka shënuar 223 gola.

Edhe historia e kohëve të fundit flet për zikaltërit, që kanë fituar 5 nga 6 ndeshjet derbi të Milanos në Serie A, duke shënuar më shumë se dyfishi i kuqezinjve (14 gola Interi dhe 6 gola Milani).

Milani ka fituar vetëm një sfidë në 10 derbet e fundit që dy skuadrat janë përballur në kampionat: sezonin e kaluar 2-1.

Derbet kur Milani është skuadra pritëse

Janë 87 precedentët mes Milanit dhe Interit në Serie A, kur kuqezinjtë janë skuadra pritëse. Edhe në këtë rast bilanci anon nga zikaltërit, që kanë arritur 34 fitore, 25 ndeshje janë mbyllur në barazim, ndërsa kuqezinjtë kanë marrë 28 fitore.

Interi i ka fituar tre derbet e fundit që janë luajtur në “shtëpinë” e Milanit. Vetëm një herë në histori, kuqezinjtë kanë humbur më shumë derbi si skuadër pritëse: të pesta ndeshjet e para kundër Interit nga viti 1929 deri në vitin 1934.

Zikaltërit nuk kanë pësuar gol në 2 transfertat e fundit në Serie A kundër Milanit dhe vetëm një herë kanë bërë më mirë në historinë e kampionatit, tre ndeshje rresht pa pësuar në mes të viteve 1980.

Statistika të përgjithshme

Nga fillimi i vitit 2020, Milani dhe Interi janë dy skuadrat që kanë fituar më shumë pikë në Serie A: të dyja 155 pikë në 70 ndeshje të luajtura (me një mesatare 2.2 për ndeshje).

Interi ka sulmin më të mirë të kampionatit me 28 gola të shënuar, ndërsa Milani qëndron në vend të dytë me 25 gola të realizuar. Interi është skuadra ku kanë shënuar më shumë lojtarë të ndryshëm (12), ndërsa Milani renditet pas zikaltërve me 11 lojtarë. /Oversport.tv