Deschamps: Duam trofeun! Hakmarrje e Belgjikës? Kupa e Botës e jona gjithsesi

Didier Deschamps, trajneri i Francës, ka folur para gjysmëfinales së Nations League kundër Belgjikës. Tekniku thekson se duan ta fitojnë këtë trofe, ndërkohë që flet edhe për kundërshtarin dhe rivalitetin me ta. “Jam konkurrues, si unë edhe lojtarët. Kur je i tillë asgjë nuk ta zëvendëson adrenalinën.

E mbaj mend gjysmëfinalen kundër Belgjikës në Kupën e Botës 2018. Ishte një hap vendimtar për ne, sepse na u lejua të bëheshim më pas kampionë të botës.  Ajo që do të ndodhë nesër nuk do ta ndryshojë atë që ka ndodhur tre vite më parë. Nesër luajmë për finalen e Nations League. Gjithmonë ka pasur një rivalitet të shëndoshë me Belgjikën, pasi janë një vend fqinj me ne.

Pas ndeshjes në Rusi ka pasur deklarata të ndryshme dhe interpretime, që mund edhe ta kenë kaluar masën, me ose pa të drejtë. Gjithsesi ka shumë respekt mes lojtarëve dhe mes meje e Roberto Martinez. Lojtarët njihen, madje ka edhe nga ata që luajnë në klube të njëjta”.

“Historikisht ka pasur dy trofe, Kupa e Botës dhe Kampionati Europian. Tani është edhe Nations League. Në edicionin e parë nuk u kualifikuam, tani jemi këtu. Në këtë fazë përballesh me një nga ekipet më të mira në Europë dhe supozohet të ketë spektakël kur përballeni me ekipe me cilësi të lartë”.

“Moduli? Zgjedhjet bëhen duke bërë një raport mes pikave të forta dhe pikave të dobëta. Unë po iki nga këtu me idenë se ekipi im do t’i krijojë më shumë probleme kundërshtarit. Belgjika është e ndërgjegjshme për forcën që ka, ka sulmues cilësor, por kjo nuk do të thotë se mbrohet keq. Të kesh topin sa më shumë të jetë e mundur është gjëja më e mirë për ne”.

“Për mua Torino është si një shtëpi e dytë. Është një kënaqësi e madhe të jesh këtu, edhe pse stadiumi është i ndryshëm. Kemi bërë gjithçka të kalojmë në Final 4 dhe tani do të përpiqemi të kalojmë Belgjikën dhe më pas të mundim ekipin e kualifikuar nga Itali-Spanjë. Është një kompeticion i bukur, duam t’i luajmë deri në fund këto ndeshje”. / oversport.tv