Deschamps: Morëm përsipër risqe dhe fituam falë cilësive tona

Pas ngritjes së kupës në qiell, trajneri i Francës, Didier Deschamps është ndalur përpara mikrofonave për të komentuar mbi ecurinë fantastike në Nations League, skemën e përdorur, si dhe synimet që ekipi ka.

Fitorja e Nations League- “Ata ishin kundërshtarë me shumë cilësi. Në 20 minutat e para ne kishim topin, pastaj vuajtëm pak më shumë. Edhe pse pësuam një gol, ne u rikthyem në lojë. Morëm përsipër më shumë risqe dhe na ndihmoi të rikuperonim më shumë topa dhe të ishim më të rrezikshëm. Spanja njihet për aftësinë që ka për të mbajtur topin, por ne me cilësinë tonë arritëm të fitonim.

Skema me tre mbrojtës- “Mungonte disi automatizimi i lëvizjes së lojtarëve me njëri-tjetrin. Tre mbrojtësit qëndrorë u tërhoqën pak pas, por kjo shërbeu për të qenë më të rrezikshëm në sulm. Megjithatë, nuk është e rëndësishme skema, por si zbatohet ajo”.

Euro 2020 dhe Nations League- “E kaluara mbetet në të kaluarën. Ne patëm dhjetë minuta dobësie, por arritëm të dilnim nga ajo gjendje. Në Kampionatin Europian donim të shkonim më tej, por nuk kemi pse të hedhim poshtë gjithçka që kemi bërë. Ka lojtarët që kanë pak ndeshje me kombëtaren si Theo Hernandez, por performanca e ekipit nuk ka rënë. Unë jam i kënaqur me atë që kanë bërë lojtarët e mi. Nuk ka mungesë besimi, lojtarët kanë konfirmuar se ata po luajnë në një nivel shumë të lartë”. /oversport.tv