“Dështimet s’përcaktojnë jetët tona”, Bushi motivon futbollistët me fjalët e Obama

Alban Bushi, trajneri i Shqipërisë U21, ka shkruar një letër të gjatë pas humbjeve me Slloveninë dhe Kosovën. Tekniku mbështet fort lojtarët dhe shpreh besimin që ka tek ata, si dhe i vlerëson për sakrificën e bërë në ndeshjet e fundit. Sigurisht nuk mungojnë fjalët motivuese nga Bushi.

“Nuk mund të lëmë që dështimet e mia, të tuat, të tonat të përcaktojnë jetën tonë. Duhet të mësojmë nga dështimet! Meritonim më shumë për atë që dhamë në fushë në të  dyja ndeshjet (Slloveni dhe Kosovë).

Ne e pamë ndeshjen me Slloveninë,  ju e patë se sa shumë kishit luftuar dhe sa shumë gjëra të mira që kishit bërë, por për gabimet individuale që ne bëmë kundërshtari na ndëshkoi… Nuk ka futboll pa gabime sikurse nuk ka gol po nuk gaboi ndokush!

Ju keni zemër dhe luftuat! Nuk u dorëzuat për asnjë moment dhe kjo është më e rëndësishmja nga të gjitha. Fati nuk ishte me ne! Për ndeshjen kundrejt Kosovës, dua vetëm t’ ju falënderoj sepse sakrifikuat, luftuat, shkuat përtej limiteve pas një rraskapitjeje me Slloveninë dhe përsëri fati nuk ishte me ne!

Ju do të vazhdoni të fitoni e të humbni sepse futbolli është i tillë, por nuk do të reshtni duke luftuar për të arritur qëllimet tuaja, ato që ju i keni vënë vetes, ato që ju i ëndërroni, ato që ju i doni. Unë kam shumë besim që do ia dilni sepse e meritoni.

Ne duhet të vazhdojmë të luajmë ndeshjet tona! Asgjë nuk ka mbaruar! Kualifikimin ne e ëndërrojmë akoma dhe do të luftojmë fort për të fituar ndeshjet e radhës. Ne futbollistët nuk shquhemi për fjalë, por për zemër.

Sikurse ka thënë Barack Obama: ‘Për aq kohë sa marrim frymë, ka ende shpresë’. Unë jam me ju, dhe ne jemi një!”, shkruan Bushi në postimin e bërë në profilin e tij në “Instagram”. / oversport.tv

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Alban Bushi (@albanbushii__)