Deulofeu: Milani gjithmonë në zemrën time, tek Udine dua të jem lider

Ish-sulmuesi i Milanit, Gerard Deulofeu ka dhënë një intervistë ku ka folur për të tashmen e tij tek Udinese, si dhe për të kaluarën e tij te Milani. Ai u shpreh shumë i lumtur për eksperiencën që ka kaluar në Milano dhe tha se do ta ketë gjithmonë në zemër Milanin.

“Në Udine dua që bashkëlojtarët të më njohin si lider, para së gjithash për angazhimin që kam dhënë në punën time. Gotti më jep shumë liri në sulm dhe më dëshiron shumë afër portës për të provuar dhe për të shënuar. Kjo është ajo që i duhet skuadrës, edhe nëse unë nuk jam sulmues. Unë jam dikush që rri pranë një sulmuesi dhe krijoj raste. Tani që luajmë me një sulmues të vërtetë, Beto, është shumë më e lehtë për mua”.

FANELLA ME NR 10- “Kur u largua De Paul, pritej një hap përpara nga unë në fushë, si lider dhe në dhomat e zhveshjes. Këtë po përpiqem të bëj, i vetëdijshëm që fanella që kam veshur ka parë para meje lojtarë shumë të rëndësishëm”.

MILANI- “Isha shumë mirë me kuqezinjtë. U ndjeva i fortë sepse që nga dita e parë më besuan. Në Milano mund të thithësh ajrin e një klubi të madh, është diçka që e percepton menjëherë, kudo, brenda dhe jashtë Milanello-s. E mbaj Milanin në zemër, gjithmonë”. /oversport.tv