Dhimbje koke për Inzaghin, kundër Spezias vihet në provë mbrojtja

Jashtë kundër Spezias dhe akoma në dyshim të fortë për sfidën e kthimit në Champions League ndaj Portos. Të flasësh me siguri për rikthimin e Milan Skriniar në fushë me Interin tashmë merr formën e një basti. Mbrojtësi sllovak vuan ende nga problemi në shpinë dhe Simone Inzaghi duhet të bëjë llogaritë pa të të paktën edhe disa ndeshje. Për këtë arsye, tekniku italian duhet të rimodelojë mbrojtjen e Interit në një prej momenteve më delikate të sezonit.

Diskurs i ndryshëm për Dimarcon që pritet të grumbullohet me zikaltrit që në sfidën e të premtes përballë Spezias. Mbrojtësi i majtë është projektuar të fitojë disa minuta në kampionat për të qenë më pas plotësisht nën urdhrat e Inzaghit në sfidën e kthimit në Champions League ndaj Portos.

Megjithatë, Spezia për Simone Inzaghin nuk do të ketë vetëm peshën e një ndeshjeje në Serie A, por edhe një provë për ekipin që do të reshtohet përballë Portos. Në mungesë të Skriniar dhe me De Vrij që nuk po preferohet më prej tij, tekniku zikaltër kërkon të marrë sinjale pozitive nga treshja Darmian-Acerbi-Bastoni që pritet të hidhet në fushën e lojës nga minuta e parë në Europë.

Sa i përket linjave anësore, në rast se gjithçka shkon sipas planit, Dimarco do të rikthehet në krahun e majtë, ku në stol do të ulet Robin Gosens. Nga ana tjetër, i kushtëzuar nga pozicionimi i Darmian në mbrojtjen me tre, linjën e djathtë pritet ta mbulojë holandezi Denzel Dumfries që po vuan të gjejë hapësira kohët e fundit. /oversport.tv