Di Maria problemi i radhës tek Juvja, humb sfidat ndaj Bologna-s dhe Milanit

Angel Di Maria do të mungojë në dy sfidat e ardhshme të Juventusit ndaj Bologna-s dhe Milanit, duke shtuar dhimbjet e kokës për trajnerin Allegri. Gjyqtari sportiv Gerardo Mastrandrea vendosi ta dënojë 34-vjeçarin me dy ndeshje pas kartonit të kuq në sfidën ndaj Monza-s.

Argjentinasi u ndëshkua në minutën e 41-të me të kuq për një faull të shkaktuar ndaj Izzo, duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Kështu, numri 22 i bardhezinjve do të rikthehet të jetë në dispozicion në derbyn ndaj Torinos, më datë 15 tetor. Mungesa e Di Marias shton edhe më shumë problemet në kampin bardhezi, në një situatë kur rezultatet e arritura nga skuadra lënë për të dëshiruar.

Ndërkohë, pjesë e sanksioneve janë bërë edhe trajneri i Romës, Jose Mourinho si dhe Maurizio Sarri i Lazios. Portugezi u ndëshkua me të kuq për shkak të kontestimeve dhe hyrjes në fushë në humbjen ndaj Atalantës, ndërsa trajneri lazial, plotësoi numrin e kartonëve të verdhë ndaj Cremonese, duke humbur kështu sfidën e ardhshme ndaj Spezia./Oversport.tv

Foto: JuventusFC Twitter