Di Maria: Unë te Juve? Jo, doja të qëndroja te PSG, por klubi më largoi

Angel Di Maria ka përshëndetur zyrtarisht PSG dhe tani është në pritje të fanellës tjetër që do të veshë sezonin e ardhshëm. Argjentinasi konsiderohet se është shumë pranë transferimit te Juventusi, por për momentin ai mohon gjithçka.

I pyetur nga L’Equipe, Angel Di Maria tha se ende nuk e ka zgjedhur ekipin e tij të ri. “Nëse do të firmos me Juventusin? Jo (qesh). Jam i qetë. Po mendoj për veten time dhe familjen. Më vonë do të shoh se kush do të jetë zgjidhja më e mirë për të ardhmen time”.

“Fideo” bëri më pas edhe një bilanc të aventurës së tij me klubin parizien. “Shtatë vite të pabesueshme dhe të paharrueshme. Gjëja më e rëndësishme është dashuria që kam marrë. Ultrasit kënduan për mua, njësoj si pas sfidës kundër Borussia Dormtund në Champions. Kjo tregoj se këtu kam bërë gjëra të mira dhe më bën të lumtur”.

Ndërkohë që ai zbuloi edhe se largimi i tij është një vendim i klubit dhe jo dëshirë personale. “Është një vendim i klubit, unë dëshiroja të qëndroja edhe një vit këtu për të realizuar ëndrrën dhe të fitonim Champions League me PSG. I shkuam pranë, humbëm në finale dhe ky është pengu im i vetëm këtu. Jam i bindur që së shpejti djemtë do t’ia dalin”. /oversport.tv

Foto: PSG – Paris Saint-Germain, Facebook