Diagne para Klasikes: Ngoo s’e kam frikë, në familjen time futbolli është fe

Fallou Diagne, dikur pjesë e Freiburg dhe Werder Bremen në Bundesliga, tani luan me Vllazninë dhe klubi shkodran e kishte përzgjedhur të fliste para mediave për duelin kundër Tiranës. Fillimisht qendërmbrojtësi ka folur për përshtatjen në ekipin shkodran.

“Ndihem mjaft mirë, të gjithë janë të thjeshtë dhe janë shumë të mirë me mua. Ndihem sikur të jem në familjen time. Mendoj se jemi mirë, jam në rritje sikurse e gjithë skuadra. Në sport ka ulje dhe ngritje, si në jetë.

Trajneri dhe gjithë stafi teknik ka punuar me ne që ne të përmirësohemi dhe që të japim maksimumin. Shpresoj që të realizoj një gol ndaj Tiranës”, tha Diagne, ndërkohë që më pas flet edhe për repartin e prapavijës.

“Ne kemi realizuar dhe pësuar në disa raste. Flasim me trajnerin dhe stafin teknik që të jemi sa më mirë në fazën mbrojtëse dhe sulmuese. Mendoj se kemi kualitet në fazën mbrojtëse dhe është detyra jonë që të jemi sa më mirë në atë fazë”.

I ngacmuar nëse ka frikë nga dueli me Ngoo, Diagne shtoi: “Jam këtu për të dhënë më të mirën time për ekipin dhe për skuadrën njëkohësisht. Unë nuk kam asnjë lloj frike që të luaj kundër sulmuesve, kam interes se çfarë bëj unë në fushën e lojës.

Kam lindur në një familje futbollistësh dhe atë e kam si një fe. Jam i përkushtuar që të bëj sa më mirë në fushën e lojës”, u shpreh mbrojtësi i Vllaznisë, Fallou Diagne. / oversport.tv