Dimarco flet për grumbullimin e parë: Emocion i veçantë, falë Interit jam këtu

Federico Dimarco, i grumbulluar për herë të parë në skuadrën kombëtare të Italisë, ka treguar rrugëtimin e tij që nga fillimet në një intervistë të dhënë për rrjetet sociale të Federatës Italiane të Futbollit:

“Kur isha 5 vjeç babai më çoi tek skuadra Calvairate, ku qëndrova 2 vite dhe më pas u bashkova me Interin, ku luajta në të gjitha skuadrat e moshave, derisa arrita në skuadrën e parë.

Skuadrat e moshave të kombëtares italiane kanë një rëndësi të veçantë në karrierën time, pasi kam luajtur në dy finale të Kampionatit Europian dhe kam fituar një vend të tretë në Kampionatin Botëror.

Emocione të pashpjegueshme, sepse kanë qënë shumë vite bashkë me shokë që i rigjeta edhe këtu në kombëtaren e madhe, si Barella dhe Locatelli.

Isha në shtëpi me shoqen time dhe me tim bir, kur mora vesh se isha grumbulluar me skuadrën kombëtare. Të them të drejtën nuk e prisja, por për mua ka një domethënie të veçantë të jesh këtu dhe të përfaqësosh ngjyrat e kombit tënd, të luash kompeticione ndërkombëtare, duke mbajtur lart nderin e kësaj fanelle.

Objektivi im është që të bej sa më mirë me klubin dhe kombëtaren. Nëse do të vazhdoj të luaj mirë me Interin, jam i bindur se nuk do të mungojnë ftesa të tjera në skuadrën kombëtare”, ka përfunduar mbrojtësi i Interit dhe Italisë, Federico Dimarco. /Oversport.tv