Dinamo kalon me sukses edhe Besën, zhgënjejnë në shtëpi Lushnja dhe Apolonia

Dinamo merr një fitore të rëndësishme në transfertë përballë një rivali direkt si Besa dhe rikthehet e vetme në krye të renditjes së Kategorisë së Parë. Djemtë e Nevil Dedes arrijnë të marrin tre pikë të arta në stadiumin e Peqinit, duke konfirmuar se janë favoritët kryesorë për tu ngjitur në elitën e futbollit shqiptar këtë sezon.

Janë djemtë e Maganit ata që luajnë më mirë në pjesën e parë dhe i afrohen disa herë golit të avantazhit në pjesën e parë, por janë “blutë” ata që zhbllokojnë ndeshjen në minutat e fundit të fraksionit të parë të lojës. Deninson tregohet i saktë nga pika e bardhë dhe kalon në avantazh kryeqytetasit.

Me fillimin e pjesës së dytë Marku shënon edhe golin e dytë për dinamovitët, gol që vulosi fatin e kësaj sfide. Preloshi lë Dinamon me 10 lojtarë në 20 minutat e fundit të sfidës, por Besa nuk arrin që të rihapë dot këtë takim. Mbyllet 2-0 për Dinamon superndeshja e kësaj jave të Kategorisë së Parë, sfidë që u transmetua live në Oversport dhe Tibo.

Turbina merr një fitore të çmuar në shtëpi përballë Orikut. Vendasit shënojnë nga një gol për çdo pjesë me Murrjan dhe Zanin, ndërsa miqtë ngushtojnë shifrat në pjesën e dytë me Chukwuma.

Zhgënjen sërish Lushnja, që mposhtet në “Roza Haxhiu” nga Tërbuni. Një gol i Hysës në pjesën e parë i ka dhuruar tre pikë të arta pukjanëve.

Tomori surprizon Apoloninë në “Loni Papuçiu” dhe merr tre pikë të arta, që e ngjisin disa shkallë në renditje. Një gol i Ismailaj nga pika e bardhë e penalltisë në pjesën e dytë ka vulosur fatin e kësaj ndeshjeje. Konfirmohet kriza e fierakëve që pësojnë humbjen e tretë në katër sfidat e fundit në kampionat. / Oversport.tv

Kategoria e Parë – Java e 10-të

Besa-Dinamo 0-2

Deninson 43’ (pen), Marku 58’

Turbina-Oriku 2-1

Murrja 17’, Zani 55’ / Chukwuma 62’

Lushnja-Tërbuni 0-1

Hysa 28’

Apolonia-Tomori 0-1

Ismailaj 50’ (pen)