Dinamo ngec sërish, Apolonia triumfon dhe i komplikon garën për titull “bluve”

Dinamo nuk arrin të ketë vazhdimësi në kampionat dhe kësaj radhe është mposhtur nga Apolonia në “Selman Stërmasi” me rezultatin 3-2.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Apoloninë, të cilët kaluan pas pak minutash lojë në avantazh falë një goli të shënuar nga Antony. Pas golit të pësuar, kryeqytetasit kërkuan me insistim golin dhe pas shumë përpjekjesh arritën ta gjenin.

Taulant Marku u shërbye në mënyrë të mirë nga Daja dhe arriti të barazojë shifrat nga pak metra larg portës. Ekipet shkuan në dhomat e zhveshjes në shifra të ekuilibruara 1-1.

Në pjesën e dytë, ekipet u vunë në kërkim të golit të avantazhit të cilin e gjetën fierakët. Asion Daja bëri një ndërhyrje në zonë ndaj kundërshtarit në mënyrë të parregullt duke shkaktuar penallti, të cilën e ekzekutoi Omeri duke dërguar topin në rrjetë.

Megjithatë, avantazhi i Apolonisë nuk zgjati më shumë se 6 minuta lojë pasi Dinamo vendosi sërish ekuilibrat. Dickson goditi topin me kokë dhe e dërgoi në rrjetë duke barazuar shifrat në 2-2.

Përgjigja e fundit erdhi nga Apolonia që kaloi për të tretën herë në “Selman Stërmasi” ndaj Dinamos. Frencis shënoi një gol mjaft të bukur me kokë, të cilin gardiani Dani nuk mundi ta arrijë.  

Kjo disfatë e komplikon garën e “bluve” të kryeqytetit për t’u ngjitur në Superiore duke qenë një pikë larg Flamurtarit të vendit të dytë. Apolonia me këtë fitore del nga zona e ftohtë dhe ngjitet në vendin e shtatë me 25 pikë të grumbulluara. /oversport.tv