Dinamo sfidon Lushnjën, Kategoria e Parë rikthehet me një sfidë interesante

Kategoria e Parë rikthehet në ekranin e Oversport ditën e sotme me sfidën Dinamo-Lushnja, që do të çelë javën e 11-të të këtij turneu.

Skuadrat kanë shfrytëzuar pushimin (për shkak të Botërorit) dhe tashmë rikthehen në fushë, duke kërkuar maksimumin, që tu afrohen akoma më shumë objektivave sezonalë. Dinamo fitoi në transfertë përballë Besës ndeshjen e fundit në kampionat dhe sot synon ta nisë aty ku e la, duke kërkuar një tjetër trepikësh përballë Lushnjës, që të ngjitet përkohësisht e vetme në krye të renditjes së Kategorisë së Parë.

Në krahun tjetër qëndron Lushnja që po kalon një periudhë të vështirë dhe është shumë larg objektivave të fillim sezonit. Edlir Tetova është larguar nga drejtimi i skuadrës lagunare dhe stoli i është besuar Blerim Hasallës, që do të debutojë në transfertën e sotme në kryeqytet. Lushnjarët kërkojnë pikë me peshë që ti largohen zonës së ftohtë që të zbret në kategorinë inferiore.

Sfida Dinamo-Lushnja do të luhet në orën 12:30 dhe do të transmetohet në kanalet Oversport të platformës Tibo. / Oversport.tv