Dita e titullit dhe llogarive të fundit për Europën, pesë duelet e Superiores

Dita e trofeut në Superiore. Tirana do të ngrejë titullin për herë të 26-të në “Selman Stërmasi”, pas një dueli që do të zhvillojë kundër Kukësit prej orës 17:00. Trofeu duhet ngritur me fitore, ndaj një ekipi që fitoren e ka jetike për të shpresuar në kualifikimin në eliminatoret e Conference League.

Gjithsesi fitorja e Kukësit nuk mund të mjaftojë, pasi triumfi i Laçit me Partizanin, shoqëruar me triumfin e Vllaznisë kundër Kastriotit, u jep shkodranëve vendin e katërt matematikisht. Do të jetë një ekuacion për t’u zgjidhur, pasi edhe Teuta shpreson me llogaritë e veta.

Nëse mposht Skënderbeun dhe rivalët për vendin e katërt humbin, atëherë vendi i katërt është i tyre falë golaverazhit në ndeshjet direkte. Një skenar i vështirë, por në Durrës shpresojnë që Kastrioti dhe Tirana të jenë të karikuar në duelet e fundit.

Miqësore është takimi tjetër, mes Dinamos dhe Egnatias. Blutë kanë rënë një kategori më poshtë, kurse rrogozhinasit tani po mendojnë për duelin shtesë me Korabin, për të siguruar qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar. / oversport.tv