Ditëlindje speciale, trajneri Colella merr si dhuratë… Partizanin

10 gushti është një datë speciale për trajnerin Giovanni Colella. 10 gushti i vitit 2022 akoma më shumë, sepse në ditën e tij të lindjes, italiani është zyrtarizuar si trajneri i ri i Partizanit.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, klubi i kuq ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me 55-vjeçarin. Ai do të drejtojë “Demat e Kuq” në sezonin e ardhshëm pasi Dritan Mehmeti u largua nga skuadra pas humbjes me Bylisin, e cila në fakt i vuri kapakun një ecurie jo fort pozitive pas eliminimit nga Kupat e Europës.

Colella ka qenë më parë në Shqipëri, ku ka drejtuar skuadrën e Apolonisë. Ditën e sotme, në orën 19:00 ai do të drejtojë stërvitjen e parë të “Demave” për të nisur aventurën me klubin kryeqytetas. / Oversport.tv