Vazhdon fushata e rinovimeve tek Elbasani dhe konfirmimi i lojtarëve të rinj dhe me prespektivë. Ashtu siç e konfirmoi edhe trajneri Nevil Dede, drejtuesit e skuadrës verdheblu do të vijojnë me projektin ku do t’i besojnë edhe lojtarëve të rinj dhe dy rinovimet e fundit e vërtetojnë këtë gjë.
Dy gardianët Klevi Totoshi dhe Redon Gega do të vazhdojnë aventurën e tyre në Elbasan. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi i Elbasanit me anë të një njoftimi faqet zyrtare të rrjeteve sociale të klubit.
“Djemtë e qytetit vazhdojnë verdheblu!
Klevi Totoshi dhe Redon Gega rinovojnë për të vazhduar rrugën e nisur së bashku. Gardianët e talentuar janë e ardhmja e sigurt e portës verdheblu”, shkruhej në njoftimin e publikuar nga klubi i Elbasanit në rrjetet sociale. /oversport.tv