Djokovic shumë i fortë për Berrettinin, kualifikohet në US Open dhe beson te Grand Slami

Zgjat vetëm një set ëndrra e Matteo Berrettinit në ndeshjen çerekfinale kundër Novak Djokovic në US Open.

25 vjeçari roman, numri 8 në renditjen e përgjithshme e nisi shumë mirë sfidën, por më pas dorëzohet përballë numrit një të Botës, duke u mposhtur 3-1 me sete (5-7, 6-2, 6-2, 6-3) në një takim që zgjati 3 orë e 26 minuta.

Ashtu si në çerekfinalet e Roland Garros dhe finalen e Wimbledon-it serbi kalon me të njëjtin rezultat (3-1) edhe një herë tjetër tenistin Italian. Tashmë në gjysmëfinale Nolen e pret gjermani Alexander Zverev.

Novak Djokovicit i duhen edhe 2 fitore në turneun amerikan, që të shkruajë një faqe të historisë, realizimin e Grand Slam-it (fitimi në të njëjtin vit i katërt turneve më të mëdhenj të tenisit), arritje që mungon prej më shumë se 50 vitesh, pasi herën e fundit e ka realizuar Rod Laver në vitin 1969.

Medvedev-Auger Aliassime do të jetë ndeshja tjetër gjysmëfinale e US Open. Të dyja takimet do të zhvillohen ditën e nesërme. Oversport.tv