Është derbi i tij i parë, por Inzaghi është mësuar me këto “beteja” në Romë

Gjithçka nis nga një ndeshje derbi, ndonëse në mënyrë indirekte. Sepse Simone Inzaghi në prill të vitit 2016 u bë trajneri i skuadrës së parë të Lazios, pas shkarkimit të teknikut aktual të Milanit, Stefano Pioli, pas disfatës së thellë 1-4 në derbin Lazio-Roma.

Kështu ka nisur një sfidë që tashmë transferohet në një tjetër qytet, në Milano, aty ku dy teknikët do të jenë përballë njëri tjetrit në “derbin e Madonninas”.

Derbi i të dielës do të jetë ndeshja e parë e teknikut zikaltër kundër rivalëve të Milanit. Simone Inzaghi është debutues në derbin e Milanos, por ka shumë eksperiencë në atë të kryeqytetit ku në 12 sfida të luajtura kundër Romës ka arritur 4 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje.

Duke marrë në konsideratë faktin që verdhekuqtë ishin një skuadër më e mirë dhe me më shumë ambicie, rezultatet e Inzaghit në derbet e kryeqytetit kanë qenë shumë të mira.

Tekniku aktual i Interit kërkon që të bëjë mirë edhe në derbin e ri që do të provojë të dielën. Por në Milano nuk luhet vetëm për të dominuar qytetin, por luhet edhe për titullin kampion. Simone e di këtë dhe mezi pret që të përjetojë këtë ndeshje speciale. / Oversport.tv