Do të luajë falas te Barcelona, por Dani Alves ka një klauzolë të çuditshme

Dani Alves firmosi këtë të mërkurë kontratën e tij si lojtar i Barcelonës deri në fundin e sezonit. Më pas u prezantua përpara tifozëve në “Camp Nou” me një ceremoni mjaft interesante dhe plot energji. Pak orë më vonë, “RAC 1” ka zbuluar një detaj kurioz në lidhje me kontratën e brazilianit.

Bëhet fjalë për klauzolën që duhet të paguajë për prishjen e kontratës së tij. Alves duhet t’i paguajë Barçës 100 milionë euro nëse do të largohet përpara 30 qershorit. Bie në sy fakti që një lojtar 38 vjeç ka një klauzolë kaq të lartë, edhe pse është më e ulëta në kampin e Barcelonës.

Në kontratën e tij ka edhe mundësi për rinovimin e kontratës edhe për një vit tjetër, por duhet që të arrihet marrëveshja nga e para. Vetë Alves e pranoi diçka të tillë.

“Nuk shqetësohem për të ardhmen. Duhet të shohim rezultatet. Nëse jam për notën 4,5 sigurisht që nuk do të vazhdoj. Duhet një notë kaluese. Në të kundërt unë marr valixhen dhe largohem”, tha ai. Kujtojmë se mbrojtësi brazilian do të marrë një rrogë simbolike për këtë aventurë me katalanasit. / oversport.tv