Do të vendoset mbi rinovimin, Lotito e Tare në mbledhje me Sarrin

Pas deklaratave të dashurisë në ditët e fundit, për Maurizio Sarrin ka ardhur koha që të transformojë fjalët në vepra. Sipas asaj që raporton Il Messaggero, pritet që të ketë një takim mes teknikut dhe drejtuesve të klubit për sa i përket rinovimit të kontratës.

Praktikisht, në tavolinë do të ulet presidenti i Lazios, Claudio Lotito, drejtori sportiv, Igli Tare dhe vetë tekniku italian. Të gjitha palët kanë deklaruar vazhdimisht se janë pranë rinovimit, por firma në kontratë nuk ka ardhur në asnjë moment.

Fillimisht Sarri kërkon garanci se në merkato do të bëhen lëvizjet e duhura e më pas asnjë nuk do ta pengojë të hedhë firmën në kontratën e re. Për sa i përket zyrtarizimit, nëse mbledhja do të shkojë në rrjedhën e duhur, pritet të ketë një komunikatë nga Lazio për kontratën e re. /oversport.tv