Dobi: Duhet të kthehemi në shinat që ishim para Egnatias, 3 pikët janë jetike nesër

Trajneri i Kukësit, Enkeleid Dobi foli sot para mediave në prag të ndeshjes ndaj Vllaznisë duke analizuar ndeshjen e nesërme, por duke u ndalur edhe te ecuria e ekipit.

“Ndeshja? Edhe pyetje edhe përgjigje. Na duhet se s’bën fitorja, kaq. Ky është një obligim për ne për dy ndeshjet e fundit. Për te gjithë përmbledhjen, ambiciet e FK Kukësit na duhet të kthehemi te ato shinat që ishim pak më para se ndeshjen me Egnatian. Të bëjmë një lojë solide por mbi të gjitha të krijojmë volum, dinamikë dhe mbi të gjitha 3 pikë. Rezultati tani është ai që mund të na kthejë te rruga e duhur.

Kjo është, nuk ka të flas gjëra të bukura të mençura. Më e mençura është 3 pikët dhe kaq. Se si, duhet me e gjet nga thellësia e jo vetëm nga zemra që themi por edhe nga mushkëria e mëlçia e ku di unë deri te veshkat. Të japim maksimumin edhe ndoshta pak më shumë se maksimumin që t’ia dalim prapë.

Fryma e ekipit? Normale që edhe koha nuk është shumë e gjatë, ndeshja na kushtoi  nga ana psikologjike, na kushtoi nga ana morale, nga ana fizike dhe luajtëm 10 me 11 mbi më shumë se 30 minuta. Ndonjëherë ana psikologjike dhe morale kushton më shumë se ana fizike, por duhet të reagojmë edhe ne si staf por edhe lojtaret. Të vëmë pak freski , kemi një skuadër, një grup lojtarësh që secili pret atë shansin e vet dhe gjithmonë sikur kam thënë secili do e ketë shansin.

Mënyra është se si do e shfrytëzojnë dhe do e vëne në punë për te mirën e ekipit. Unë e kam thëne edhe në fillim se këtu nuk ka yje. Ylli më i madh është FK Kukësi, çdo njeri duhet të punojë për Kukësin. Futbolli është lojë kolektive, jo lojë individuale. Gjithë talentin, gjithë mundësinë ta vëmë në funksion te grupit dhe të bëjmë ato lëvizjet e duhura e shpresojmë që kjo ndeshje të dalë me rezultat për ne”, tha Dobi. / Oversport.tv