Dobi për Oversport: U tërhoqa nga Kukësi për të mirën e klubit, Shqipëria është në një grup të favorshëm

Ish-trajneri i Kukësit, Enkeleid Dobi, ka folur live dhe ekskluzivisht për Oversport dhe Tibo në emisionin “Ti Bo Gol”.

“Më vjen mirë që Kukësi po shkon në rrugën e duhur dhe dalëngadalë po del nga zona e ftohtë. Ndeshjen e kombëtares shqiptare e ndoqa atje në Poloni. Është e qartë që ata janë favoritët e grupit edhe pse u mposhtën me Çekinë. Mendoj se kombëtarja jonë meritonte më shumë në atë ndeshje.

Në pjesën e parë ne ishim më shumë guximtarë dhe më të vendosur se Polonia. Në pjesën e dytë gjithashtu treguam një punë të mirë. Ajo ishte ndeshja e parë për trajnerin Sylvinho dhe puna e tij duhet parë në vazhdimësi. 4 mungesat e titullarëve te Shqipëria është diçka e madhe.

Kemi mundësi jashtëzakonisht në ndeshjet e radhës dhe të jemi më kërkues. Për sa i përket Kukësit, unë mora vendimin tim. Trajneri Hallaçi po bën një punë jashtëzakonisht të mirë edhe pse e njeh klubin mirë nga afër. Ndeshja e tyre me Egnatian është një përballje për 6 pikë.

Unë nuk kam qejf të shfajësohem për sa i përket Kukësit dhe vendimi im ishte të jepja dorëheqjen. Anija (Skuadra) ka një pronar i cili duhet të marrë përgjegjësi përpara se ajo të mbytet. Mbaj kontakte me disa persona te Kukësi që nuk kam qejf t’i përmend.

Me Hallaçin flas sepse trajnerët duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Unë e falenderoj Kukësin që më dha mundësinë të jem trajner, por e pashë që ecuria nuk ishte e mirë dhe mora vendimin tim për të mirën e klubit. E bëra që një trajner tjetër të merrte anijen.” – tha Dobi. /oversport.tv