Dobra: Mund të kapim vendin e parë, duhet të fitojmë këto 2 transferta

Kombëtarja shqiptare U-21 po vijon përgatitjet intensive në Durrës për dy sfidat e nëntorit ndaj Sllovenisë dhe Kosovës në transfertë. Kuqezinjtë e drejtuar nga Bushi do të luajnë fillimisht ndaj sllovenëve më 12 nëntor ndërsa katër ditë më vonë do të luajnë ndaj Kosovës po në transfertë.

Armando Dobra ka folur në një konferencë për mediat në lidhje me gjendjen e ekipit dhe objektivat për këto dy ndeshje. Dobra ishte një nga golashënuesit në ndeshjen e fundit që kuqezinjtë zhvilluan në “Elbasan Arena” kundër Sllovenisë, ku Shqipëria fitoi me rezultatin 2-0.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave, ai u shpreh se grupi i kuqezinjve është shumë i mirë dhe i bashkuar dhe do të kërkojë gjashtë pikët në këto dy ndeshje.

Ndeshja ndaj Sllovenisë – Mendoj se do shkojmë për ta fituar ndeshjen. Ata do të jenë shumë ekip i fortë sepse i kemi mundur këtu dhe do të kërkojnë të na mundin kur të jemi atje. Mendoj se kemi grup shumë të mirë, trajner shumë të mirë dhe do shkojmë për të fituar ndeshjen.

Atmosfera në grup – Grupi është shumë i mirë, jemi të gjithë të bashkuar dhe kjo është një gjë shumë e mirë sepse kemi dy ndeshje të vështira në transfertë dhe do të shkojmë për t’i fituar të dyja ndeshjet.

Synimet në grup? – Mendoj se mund të dalim edhe në vend të parë, kemi grup shumë të mirë, shumë të talentuar. Kemi 9 pikë dhe mund ta kapim edhe vendin e parë. Por edhe vendi i dytë është shumë i mirë, pasi kemi grup shumë të mirë dhe mund të kualifikohemi në europian.

Kundërshtarët? – Të dyja ndeshjet janë shumë të vështira. Si Sllovenia ka gjërat e mira të saj, ashtu edhe Kosova ka të sajat, prandaj të dyja do të jenë të vështira.

Synimet personale? – Objektivat e mia janë të bëj më shumë gola dhe të krijoj më shumë raste për ekipin dhe të renditemi më lart në klasifikim ndërsa objektivat me Kombëtaren janë të kualifikohemi në Europian me U-21 dhe më pas shpresoj të kaloj te Kombëtarja A., por fokusi im është Kombëtarja U-21. /Oversport.tv