Dokumentari zbulon sekretet e Ronaldos për të mbajtur trupin në formë

Në moshën 36-vjeçare, Cristiano Ronaldo vazhdon të tregojë një formë fizike për tu patur zili. Kjo edhe falë rregullave dhe disiplinës së fortë që ndjek çdo ditë dhe që nuk i shkel kurrë. Nuk është një sekret fakti që kampioni portugez e ka shumë merak fizikun dhe format e tij.

Dokumentari i Amazon Prime Video “Gjithçka apo asgjë: Juventus”, ka zbuluar disa hile të zanatit për të qenë gjithmonë në formë. “Unë jam doktori i vetes, trajneri i mendjes dhe nutricionisti i vetes sime. Nëse i bën gjërat siç duhen, do të jesh më i mirë se të tjerët”, ka shpjeguar Ronaldo.

Por cilat janë “gjërat siç duhen” për të cilat flet Cristiano Ronaldo? Pa dyshim që marrja e rrezeve të diellit është pjesë e kësaj kategorie.

“Marr çdo ditë 20 minuta rreze dielli dhe e di që do të më ndihmojë. Dielli i bën mirë trupit tim. Por nëse do të rrija këtu gjithë ditën, do të më bënte keq. Do të më dilnin rrudhat. Ndërsa 30 minuta më bëjnë të ndihem mirë. Jam 36 vjeç dhe jam akoma këtu”, përfundon Ronaldo. / Oversport.tv