Donnarumma nuk është i lumtur në Paris, Juventus synon ta kthejë në Serie A

Sapo ka fituar Kampionatin Europian 2020 si protagonist, por pas transferimit tek PSG-ja më shumë ka qëndruar në pankinë, sesa në fushë. Duket qartë se Gigio Donnarumma nuk është i lumtur në Paris.

Në krahun tjetër qëndron Juventusi, që e ka nisur shumë keq kampionatin edhe për shkak të ndonjë gabimi të tepërt të portierit të saj.

Llogaritë bëhen kollaj, prandaj duket se bardhezinjtë i kanë vënë syrin ish-portierit të Milanit, sigurisht të ndihmuar edhe nga i zakonshmi Mino Raiola. Dy gazetat prestigjioze italiane “Corriere della Sera” dhe “Gazzetta dello Sport” shkruajnë për këtë alternativë të mundshme.

Ndonëse kohët e fundit është munduar të alternojë pak më shumë, është e qartë se për teknikun Pochettino titullar në portë është Navas.

Ai që nga shumë konsiderohet si portieri më i mirë në botë, nuk po kalon momente të mira dhe nga këtu mund të lindin skenarë të tjerë. Mino Raiola i pakënaqur nga sjellja e PSG-së, nëse hierarkitë nuk ndryshojnë, mund të çojë në një tjetër klub lojtarin që përfaqëson.

Juventusi është kandidatja kryesore për të marrë shërbimet e Gigio. Szczesny po kalon momentin e vështirë, por bardhezinjtë kërkojnë një portier të nivelit të lartë që të garantojë portën për 10 vitet e ardhshme.

E shkuara e konfirmon këtë: Zoff ishte titullar nga viti 1972 deri në 1983, ndërsa Buffon qëndroi për thuajse 20 vjet. /Oversport.tv