Skuadra zyrtare e Ducatit ka arritur një dopietë të rëndësishme në provat zyrtare për Çmimin e Madh të San Marinos. Francesco Bagnaia do të niset i pari nesër në Misano, para shokut të tij të skuadrës Jack Miller.
Kryesuesi i renditjes së përgjithshme për pilotë, Fabio Quartararo do të niset i treti me Yamahan e tij. Në rresht të dytë ndodhen edhe dy motorrë të tjerë Ducati, të skuadrës satelite Pramac: Martin niset i katërti, ndërsa Zarco i pesti.
Edhe 2 motorët Aprilia mes 10 të parëve: Aleix Espargaro niset i teti, ndërsa Vinales i 10-ti. Dobët Valentino Rossi dhe Andrea Dovizioso që do të nisin garën në rreshtin e fundit.
Gara për Çmimin e Madh të San Marinos, etapa e 14-të e Kampionatit Botëror të MotoGP, do të zhvillohet nesër në orën 14.00. Renditjen e pilotëve e kryeson Quartararo me 214 pikë, i ndjekur nga Bagnaia me 161 pikë dhe Mir me 157 pikë.