Dortmundi humbet sulmuesin kryesor, Haaland larg fushës për disa javë

Pushimi për shkak të ndeshjeve të kombëtareve do të rikthehet në nëntor, por deri atëherë Borussia e Dortmundit duhet të zhvillojë 5 ndeshje pa ndihmën e Erling Haaland.

Sulmuesi, që u rikthye në fushë të shtunën e kaluar, pas një problemi muskulor, është dëmtuar sërish dhe tashmë do të kthehet më i fortë pas pushimit të Bundesligës, siç ka shkruar edhe vetë në rrjetet sociale.

“Duhet të përshtatemi. Kemi pak alternativa në sulm, por jemi të detyruar ta pranojmë këtë situatë. Erling do të mungojë, do të duhet të bëjmë pa të për disa javë. Ka një tërheqje, që nuk e lejon që të luajë.

Ai u mërzit shumë, pasi sapo u rikthye nga një dëmtim. Nuk është një lajm i mirë për ne mungesa e tij, por klubi dhe skuadra janë në mbështetje të tij”, ka thënë tekniku Marco Rose përpara ndeshjes kundër Bielefeld në kampionat. /Oversport.tv