Dramatike: Eklent Kaçi i dorëzon kurorën Szewczyk, del i treti në Botëror

Wojciech Szewczyk është kampioni i ri i botës në disiplinën 10-ball dhe kurorën ia ka marrë shqiptarit Eklent Kaçi, të cilin e mposhti në gjysmëfinale në një ndeshje dramatike në Las Vegas.

Talenti shqiptar nuk e nisi mirë ndeshjes, pasi tre lojërat e para u morën nga polaku. Gjithsesi bilardisti laçian reagoi dhe arriti nga 5-3 ta çonte ndeshjen në 5-5. Të dy bilardistët nuk falën deri në 7-7, kur kishin shërbimin.

Szewczyk i dha një asist Kaçit, pasi nuk e kontrolloi qokun dhe shqiptari e çoi ndeshjen në 9-7. Polaku me shërbimin e tij e ngushtoi në 9-8 dhe më pas edhe barazoi, pasi kampioni i botës në vitin 2021 nuk mori asnjë gur në shërbimin e tij.

“Hill-hill” dhe Szewczyk nuk mori asnjë gur në shërbim, por gjithsesi gurët nuk ishin hapur mirë. Kaçi mori gurin me numër një dhe më pas luajti në mbrojtje te dyshi. Polaku u kundërpërgjigj dhe më pas kurbinasi bëri faull dhe Wojciech e shfrytëzoi dhe fitoi 10-9, duke shkuar në finale, ku mundi Christopher Perez 10-8 dhe për herë të parë u shpall kampion bote.

REZULTATET E KAÇIT – Bilardisti shqiptar e nisi me një fitore të lehtë kundër Emil Andre Gangflot, me rezultatin 8-3, kurse në raundin tjetër likuidoi Tommy Tokoph – që kishte mposhtur me parë 8-7 shqiptarin tjetër Besar Spahiun – me rezultatin 8-5. I radhës që e pësoi nga Kaçi ishte Roman Hybler, 8-4.

Më pas nisi loja e vërtetë për Eklentin, i cili në raundin e parë të fazës finale eliminoi të mirënjohurin Alex Pagulayan me shifrat 8-3. Kurbinasi nuk u ndal dhe më pas largoi nga kampionati edhe Lee Vann Corteza, 10-6.

Në çerekfinale Kaçi u përball me japonezin e famshëm Naoyuki Oi, me të cilin vjet u përball në finale. Shqiptari fitoi 10-9 dhe kapi gjysmëfinalen, ku edhe u eliminua. Kështu Kaçi e mbylli Botërorin e Bilardos në disiplinën 10-ball në vendin e tretë dhe largohet nga ky event me 20 mijë dollarë të fituara. / oversport.tv