Dramë në Palermo, Maqedonia e Veriut eliminon Italinë

Një gol i Aleksandar Trajkovskit në minutën e 92-të i ka dhuruar fitoren Maqedonisë së Veriut në stadiumin “Barbera” dhe ka eliminuar skuadrën e Italisë nga Play Off-i i Kupës së Botës.

Ndonëse ka dominuar gjatë gjithë takimit, skuadra e Mancinit humbet 0-1 dhe detyrohet ti thotë lamtumirë Kupës së Botës, Katar 2022.

Për të dytin Botëror radhazi, skuadra italiane nuk arrin që të kualifikohet në fazën finale të turneut. Vazhdon ëndrra e Maqedonisë së Veriut, që në 29 mars do të luajë kundër Portugalisë finalen e Play Off-it, një sfidë që vlen një vend në Kupën e Botës, Katar 2022.

Italia ka dominuar totalisht sfidën e “Barberas” kundër Maqedonisë së Veriut, por nuk ka arritur dot që të zhbllokojë sfidën në kohën e rregullt. Skuadra e Mancinit ka luajtur gjatë 90 minutave në mesfushën e Maqedonisë së Veriut dhe ka pasur raste të pastra shënimi, por pa arritur ti finalizojë.

Kanë provuar Emerson, Barella, Insigne, Immobile dhe Berardi, por nuk kanë arritur të çojnë dot topin në rrjetë. / Oversport.tv

Foto: Nazionale Italiana Twitter

Kupa e Botës – Play Off / Gjysmëfinale

Itali-Maqedoni e Veriut 0-1

Trajkovski 90+2