Drejtori i Australian Open: Nuk ka patur trajtim preferencial për Djokovic

Drejtori i turneut të tenisit Australian Open, Craig Tiley, i ka kërkuar Novak Djokovicit, që të tregojë arsyen se përse ka marrë një leje të veçantë, që do ta lejojë që të marrë pjesë në Slamin e parë të vitit, pa deklaruar kurrë nëse është i vaksinuar apo jo kundër Covid.

“Do të ishte shumë e dobishme që Novak të shpjegonte kushtet sipas të cilave ka kërkuar dhe përfitoi një leje të veçantë. E inkurajoj që të flasë me komunitetin.

Kemi kaluar një periudhë shumë të vështirë gjatë dy viteve të fundit dhe do të vlerësoja disa përgjigje në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Tiley, që është edhe president i federatës australiane të tenisit.

Tiley ka mohuar se numri një në botë ka patur një trajtim preferencial për të marrë një leje të tillë nga autoritetet australiane: “26 sportistë ose anëtarë të stafeve të tyre, nga 3000 që parashikohet të vijnë në Australi, kanë kërkuar një leje të veçantë dhe vetëm pak prej tyre e kanë përfituar”. / Oversport.tv