“Dua të largohem”, PSG gati sanksionet për Kylian Mbappe

Kylian Mbappe e bëri edhe një herë të qartë se nuk ka ndërmend ta rinovojë kontratën me skuadrën e PSG-së. Përmes një interviste në “RMC” dhe në gazetën “L’Equipe” ai ka thënë se drejtuesit nuk e kanë lënë të largohej gjatë merkatos së verës dhe se është treguar korrektë me ta duke ua treguar dëshirën për të nisur një tjetër aventurë. Megjithatë PSG-ja vendosi që ta mbante duke krijuar edhe një lloj çudie për refuzimin e afro 200 milionë eurove.

Por dalja publike e Mbapessë, e cila u bë pa lejen e PSG-së, nuk iu ka pëlqyer aspak “bosëve” të klubit. Rebelimi i lojtarit ishte i dukshëm dhe Parisi pretendon se kjo nuk është koha e duhur për të bërë deklarata të tilla, në një moment që tifozët ishin gati të bënin paqe. Duket gjithashtu se shoqëria mes Messit dhe Neymarit e ka larguar disi nga qendra e vëmendjes Mbappenë dhe ky i fundit nuk i ka kursyer kritikat ndaj klubit.

Tani presioni për lojtarin do të jetë më i madh dhe tifozët mund ta vërshëllejnë sërish gjatë ndeshjeve. PSG-ja mund të përdorë dorë të hekurt për ta lënë jashtë disa sfida, por është duke luajtur me dy porta sepse brenda 90 ditëve kërkon t’ia rinovojë kontratën.

Deri në janar, gjithçka do të bëhet e vështirë sepse sipas rregullores së FIFA-s, çdo lojtar që i skadon kontrata në qershor mund të futet në bisedime me klube të tjera. Në fakt, disa persona pranë lojtarit po i kërkojnë që të qëndrojë edhe një vit në Paris dhe pastaj të nisë një tjetër aventurë në Madrid. Por këto javë janë intensive për lojtarin dhe për skuadrën e Parisit. / oversport.tv