Duka letër Xhakës pas lamtumirës: Je një shembull, përmbushe misionin tënd

Pasi lamtumirës së Taulant Xhakës për kombëtaren shqiptare, ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Ai ka postuar një letër në rrjetet sociale ku i tregon mirënjohjen që ka për ish-mesfushorin e kombëtares.

Në letër ai thuri shumë elozhe për Xhakën, ku e konsideroi si një djalë të përkryer dhe që do ti mungoj shumë kombëtares shqiptare. Gjithashtu ai tha se eksperienca e Xhakës me kombëtaren do të jetë një shembull për lojtarët e ardhshëm të kombëtares.

Duke thënë se eksperienca e Taulantit me kombëtaren mund të konsiderohet si një mision i përmbushur, Duka i premtoi se do ta ketë atë një mik të përjetshëm. Ai i garantoi gjithashtu Xhakës se tashmë është pjesë e historisë dhe e “Hall of Fame” shqiptar. /oversport.tv

Letra e plotë:

I dashur Taulant!

E lexova letrën tënde dhe më beso që më emocionoi shumë. Gjatë leximit më kalonte në mendje historia jonë në Kombëtare. Një histori lufte, përpjekjesh, triumfi dhe vuatjesh. Një histori njerëzore në të gjitha dimensionet e saj.

Ti ke qenë një motor për ekipin, një luftëtar i vërtetë, një djalë i përkryer (në fakt, do vazhdosh të jesh por jo më si lojtar). Për fat të keq, për këtë rol, nuk e kemi një zëvendësues. Por shpresoj shumë që performanca jote gjatë këtyre viteve të shërbejë si model dhe si shembull për të gjithë futbollistët e të gjitha niveleve të ekipeve kombëtare.

Edukata familjare, ajo profesionale dhe ato që përmenda më lart, u bënë bashkë, u “kapën përdore” dhe prodhuan këtë personalitet dhe njeri, këtë luftëtar dhe profesionist, që do të më mungojë.

Në këtë botë miku im, ajo që mbetet është kontributi për të arritur suksesin dhe emri i mirë. Ti këto i ke arritur. Prandaj, kontributi yt, mund të quhet “mision i përmbushur”.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, se çdo rrugëtim, sado i gjatë të jetë, e ka një fund. Për këtë kontribut të gjatë dhe tepër të vlerësuar, ti miku im, ke hyrë në librin e historisë dhe hollin e famës së futbollit shqiptar. Si dashamirës futbolli, si bashkëudhëtar i suksesit tënd dhe si President i FSHF, jam shumë i lumtur ta konfirmoj këtë.

I dashur Taulant! Mua personalisht do të më kesh gjithmonë një mik të përjetshëm. Besnik dhe krenar për miqësinë tonë.

Të perqafoj.

Armand Duka

President i FSHF