Duro: I kënaqur nga rezultati dhe lojtarët e rinj, uroj që Skënderbeu të rikthehet shpejt në elitë

Trajneri i Egnatias, Shpëtim Duro ka folur për Oversport pas fitores përballë Skënderbeut në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë.

“Jam i kënaqur sepse kishim bërë shumë ndryshime në formacion. Një ndeshje që pati shumë situata, por ne ishim më superiore se kundërshtari dhe e rëndësishme është që arritëm që të kalonim në avantazh në fund të takimit. Bëra rotacion për të ruajtur energjitë për kampionatin.

Lojtarët e rinj kanë nevojë për minuta, por me këtë grup do të përballojmë situatën. Paulauskas? Shënoi një gol shumë të bukur, tipik i një sulmuesi. Shpresojmë që të vazhdojë kështu. Debutim me gol është një rezultat shumë i mirë.

Rikthimi në Korçë? Ishte një titull i vështirë, pasi në atë kohë Skënderbeu ishte si Egnatia, më pas nisi të shkruajë historinë. Titulli i parë ishte shumë i rëndësishëm dhe drejtuesit qëndruan në Korçë dhe bënë historinë. Kam nostalgji kur rikthehem këtu dhe shpresoj që Skënderbeu të rikthehet sa më shpejt në elitën e futbollit shqiptar”, ka thënë Duro. / Oversport.tv