Dy golat e Osimhen nuk mjaftojnë për Napolin ndaj Bolognas, Lecce siguron qëndrimin në Serie A

Napoli shpërdoron një avantazh prej dy golash dhe mbyll në paqe sfidën e javës së 37-të me Bolognan. Përballja përfundoi me rezultatin 2-2, ku dygolëshit të Osimhen, iu përgjigjën Ferguson dhe De Silvestri.

Në Oversport kishit mundësi të ndiqnit një ndeshje të çmendur me napoletanët që e nisin në sulm sfidën dhe gjejnë rrugën e rrjetës pas 14 minutash me Victor Osimhen. Ky i fundit që luan edhe për këpucën e artë për këtë edicion të Serie A, kalon në avantazh skuadrën e Spallettit. Ka edhe mundësi të tjera, por pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0.

Në pjesën e dytë gjithçka kthehet në një sfidë edhe më të çmendur. Victor Osimhen dyfishon shifrat dhe e çon veten në kuotën e 25 golave në këtë edicion. Kur pritet që Napoli të menaxhojë avantazhin e arritur, është Ferguson që ngushton diferencat dhe e çon rezultatin në 2-1. 6 minuta nga fundi i kohës së rregullt vjen edhe baraspesha, që vendoset nga Lorenzo De Silvestri. Në barazim 2-2 mbyllet kjo sfidë, me Napolin që mban vendin e parë, ndërsa Bologna e vendit të 11-të ngjitet në kuotën e 51 pikëve.

Në sfidën tjetër, Lecce merr një fitore në frymën e fundit përballë Monzës dhe siguron matematikisht mbijetesën në Serie A. Ka mjaftuar një gol me 11-metërsh në fundin e takimit që Lecce të dalë me pikë të plota dhe me 1 ndeshje të mbetur për t’u luajtur, tashmë ndodhen +5 nga zona e ftohtë.

Ndeshja është shumë e luftuar, por minutat e fundit janë edhe ato më emocionueset. Fillimisht është Monza që ka një shans të artë me Gytkjaer, por ky shpërdoron një 11-metërsh. Atëherë kur gjithçka pritet të mbyllet në barazim pa gola, është Colombo që transformon në gol një 11-metërsh.

Me këtë triumf, Lecce siguron qëndrimin në elitën e futbollit italian matematikisht, ndërsa Monza mbetet në vendin e 10-të në kuotën e 52 pikëve. /oversport.tv

Foto: Official SSC Napoli, Twitter