E ardhmja e Dajës, derbi me Tiranën dhe kompleksi: Fjalën e ka Gaz Demi

I ftuar në emisionin “Skaner” në televizionin MCN, presidenti i Partizanit, Gaz Demi ka ritheksuar besimin për trajnerin Ilir Daja, duke deklaruar se nuk ka probleme mes teknikut dhe drejtorit Olsi Rama.

Numri një i klubit të kuq ka folur edhe për derbin kundër Tiranës dhe ka dhënë edhe një lajm të mirë për tifozerinë e kuqe, duke thënë se kompleksi do të jetë gati në mes të nëntorit.

Ja dhe deklarata e plotë e Gaz Demit në emisionin e gazetarit Gerti Çarçani: “Ju kam ndjekur në dy emisione. Starova e tha shumë mirë. Fjala tifozeri është e madhe. Ne kemi bërë një akord me Dajën. Unë nuk jam specialist teknik. Jemi në fillimin e garës.

Partizani i ka humbur pikët vetë, për shkak të gabimeve. Nuk ka asnjë problem mes presidentit dhe drejtorit. Olsi Rama merret më shumë me ekipin. Unë po punoj për dhuratën e madhe për tifozët, si kompleksi dhe akademia.

Përveç meje, Daja të cilin dua ta uroj edhe për ditëlindjen, ka edhe përkrahjen e Drejtorit. Themi nëse ka probleme dhe defekte, futbolli është si familje, ndonjëherë nuk ecin gjëra. Nuk ka asnjë ftohje mes Partizanit dhe Dajës si trajner. Edhe mua nuk më pëlqeu ndeshja me Kukësin, por të tjerat kanë qenë pozitive. Daja nuk ka asnjë problem.

Kam thënë njëherë se sa të jem unë, Tiranës nuk i ecën me Partizanin. E mira është që ne të fitojmë, por edhe po nuk fituam, nuk është ndonjë çudi e madhe. Presioni është pak më i madh te ne, sepse na duhen pikët. Shpresoj që në derbi të kemi edhe pak fat.

Ne nuk kemi pasur fat fare deri tani. Nuk ka përçarje mes klubit dhe trajnerit, këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë. Tifozeria e mbështet Partizanin. E di çfarë presidenti ka. Kompleksi do të jetë gati në mes të nëntorit. Nuk heq kollaj njeri unë nga Partizani”, ka thënë presidenti i partizanit, Gaz Demi. / oversport.tv