E gjithë skuadra në mbështetje të Malës, ja gjesti që bënë lojtarët dhe stafi i Vllaznisë

Esat Mala do të qëndrojë të paktën 6 deri në 8 javë jashtë fushave të blerta për shkak të dëmtimit që pësoi në sfidën e fundit me Partizanin. Sulmuesi i shkodranëve është operuar ditën e djeshme, ndërsa sot pati një surprizë nga e gjithë skuadra.

Lojtarët e Vllaznisë dhe Stafi e vizituan atë në spitalin ku po qëndronte duke i shprehur edhe mbështetjen në këtë moment të vështirë që po kalon. Këtë ngjarje e ka publikuar edhe klubi i Vllaznisë në rrjetet sociale.

POSTIMI I VLLAZNISË

Ekipi i Vllaznisë ka udhëtuar sot drejt kryeqytetit për ndeshjen e rradhës, por njëkohësisht ka shfrytëzuar edhe mundësinë për t’i bërë një vizitë futbollistit kuqeblu Esat Mala që siç është bërë e ditur, i është nënshtruar ditën e djeshme një ndërhyrje kirurgjikale. Lojtarët dhe pjestarët e stafit teknik i kanë shprehur atij mbështetjen në këtë moment të vështirë dhe njëkohësisht i kanë bërë të ditur se e presin shpejt në gjirin e tyre.

Ndërkohë KF Vllaznia me këtë rast, përpos mjekëve dhe personelit të spitalit ku është bërë ndërhyrja e Malës, dëshiron të falenderojë edhe Spitalin Rajonal Shkodër, me stafin e mrekullueshëm të doktorëve dhe infermierëve që u gjendën pranë në rastin e këtij lojtari, dhe po ashtu edhe përkushtimin e veçantë të drejtorit të spitalit, Dr.Senad Hallunit. /oversport.tv