E konfirmuar: VAR certifikohet për kampionatin shqiptar, Jareci zbulon detajet

VAR certifikohet për edicionin e ri të Kategorisë Superiore në Shqipëri. Këtë njoftim e ka bërë para gazetarëve dizenjatori i arbitrave në FSHF. Sokol Jareci.

“Ju njoftoj që sapo kemi marrë edhe certifikimin zyrtar për aplikimin e VAR në vendin tonë, pas të gjithë seminareve, trajnimeve si dhe testeve me ndeshke të vazhdueshme”, tha ish-arbitri ndërkombëtar.

Më tej, Jareci u ndal në një shpjegim specifik të rasteve që protokolli i VAR-it parashikon për ndërhyrje në rastet specifike, duke evidentuar që bëhet fjalë për ndërhyrje në rastet gol/jo gol, në rastet penallti/jo penallti, në rastet kur bëhet fjalë për karton të kuq si dhe në rastet kur arbitri kryesor gabon në identifikimin e lojtarit që shkakton faullin.

I pranishëm për të përshëndetur VAR në vendin tonë ishte edhe kreu i FSHF. “Ne e vuajtëm ndaj Polonisë, që edhe pse ishte VAR Kombëtares i mungon një penallti.

Megjithatë, në komisionet e arbitrimit të UEFA-s ka ‘VAR mbi VAR-in’. VAR është një risi për këtë edicion të Superiores”, tha Duka, i cili bëri urimin për ekipet në lidhje me startin e këtij sezoni. /oversport.tv