E pafat Egnatia, ruleta e penalltive eliminon rrogozhinasit nga Europa

Një ndeshje spektakolare është zhvilluar në “Elbasan Arena” mes Egnatias dhe Ararat-Armenias. Koha e rregullt përfundon në barazim 2-2, koha shtesë mbyllet në barazim 4-4 dhe pas ruletës së penalltive është skuadra nga Armenia ajo që kualifikohet në turin e dytë të Conference League.

Është e pafat Egnatia në debutimin europian, pasi mposhtet nga Ararat-Armenia pas ruletës së penalltive. Rrogozhinasit mbyllin kohën e rregullt në barazim 2-2, ndërsa koha shtesë mbyllet në barazim 4-4. 120 minuta lojë nuk prodhojnë një fitues dhe janë penalltitë ato që përcaktojnë skuadrën që do të vazhdojë më tej rrugëtimin në këtë kompeticion.

90 minutat e kohës së rregullt kanë përfunduar në barazim 2-2. Egnatia zhbllokon menjëherë sfidën me Fernandon, por miqtë kundërpërgjigjen pak minuta më vonë me Eza, që shënon golin e barazimit. Rrogozhinasit nuk demoralizohen dhe mbyllin pjesën e parë në avantazh falë golit të shënuar nga Kasa.

Egnatia mundohet që të administrojë avantazhin në pjesën e dytë, por armenët barazojnë me Castanheira. Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, koha e rregullt përfundon në barazim 2-2.

Ka shumë emocione në kohën shtesë, Duamena kalon në avantazh Egnatian, por armenët përmbysin gjithçka duke shënuar 2 gola. Është sërish Duamena ai që shënon për rrogozhinasit dhe barazon shifrat në 4-4.

Ruleta e penalltive i buzëqesh Ararat-Armenias, që tregohet më e saktë nga pika e bardhë dhe kualifikohet në turin tjetër. / Oversport.tv