E shtunë plot emocione në Oversport! Luhet derbi i Torinos, edhe Interi në fushë

E shtuna do të sjellë emocione të mëdha për publikun e Oversport, pasi kalendari i Serie A ka rezervuar disa takime shumë interesante ditën e sotme.

Padiskutim që kryendeshja e ditës është derbi i Torinos, që do të luhet në orën 18:00 në stadiumin “Grande Torino”, por sot luhen edhe sfidat Salernitana-Genoa (ora 15:00) dhe Sassuolo-Inter (ora 20:45), takime që do të transmetohen të gjitha në kanalin Oversport 1.

Torino dhe Juventusi nuk kanë nisur në mënyrën më të mirë sezonin dhe kjo duket qartë në vendin që skuadrat zënë në renditjen e Serie A, megjithatë në javët e fundit të dyja këto formacione kanë shfaqur shenja jete, duke arritur disa rezultate pozitive.

Torino vjen në prag të derbit pas katër katër rezultateve pozitive rresht, ndërsa Juventusi pas 2 fitoreve radhazi në kampionat.

Të dëmtuarit Belotti, Edera, Pjaca, Praet dhe Zaza, si dhe i skualifikuari Djidji do të mungojnë për vendasit në sfidën e sotme. Portieri Berisha dhe mbrojtësi Vojvoda do të jenë në stol edhe në ndeshjen kundër Juventusit.

Ndërsa tekniku Allegri do të duhet të bëjë pa ndihmën e të dëmtuarve Arthur, Dybala, Kaio Jorge, Morata dhe Ramsey në derbin e sotëm.

Formacionet e mundshme:

Torino (3-4-2-1): Milinkovic; Zima, Bremer, Rodriguez; Singo, Mandragora, Pobega, Aina; Linetty, Brekalo; Sanabria

Juventus (4-4-2): Szczesny; Danilo, De Ligt, Chiellini, Alex Sandro; Cuadrado, Bentancur, Locatelli, Rabiot; Kean, Chiesa.

Në mbrëmje është radha e kampionëve të Interit për të zbritur në fushë. Zikaltërit i pret një transfertë e vështirë në stadiumin “Mapei” përballë vendasve të Sassuolos.

Pas dy barazimeve radhazi (një në kampionat dhe një në Champions) të besuarit e Inzaghit synojnë të rikthehen tek fitorja në sfidën e sotme, që të mos humbasin kontaktin me kreun.

Vendasit mposhtën Salernitanën javën e kaluar, duke rigjetur suksesin pas tre humbjeve radhazi në kampionat. Djemtë e teknikut Dionisi kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv në sfidën e sotme kundër zikaltërve.

Formacionet e mundshme:

Sassuolo (4-2-3-1): Consigli; Muldur, Chiriches, G. Ferrari, Rogerio; Frattesi, M. Lopez; D. Berardi, Djuricic, Boga; Raspadori.

Inter (3-5-2): Handanovic; Skriniar, De Vrij, A. Bastoni; Dumfries, Barella, Brozovic, Calhanoglu, Perisic; Dzeko, L. Martinez.