Edhe Çekia refuzon të luajë me Rusinë: Nuk pranojmë as në fushë neutrale

Pasojat e pushtimit të Ukrainës nga Rusia vazhdon të rrisë ndërgjegjësimin e madh në botën e futbollit. Pas Polonisë dhe Suedisë, është Kombëtarja çeke ajo që ka vendosur të refuzojë për të luajtur kundër Rusisë.

Më anë të një komunikate zyrtare, Federata çeke e futbollit sqaroi edhe vendimin e tyre.

“Komiteti ekzekutiv i federatës çeke, anëtarët e stafit dhe lojtarët e ekipit kombëtar ranë dakord se nuk është e mundur të luhet kundër kombëtares ruse në situatën aktuale, madje as në një vend neutral.

Të gjithë duam që lufta të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, shkruhej në postimin e publikuar nga federata.

Sfida midisi Çekisë dhe Rusisë mund të ndodhte në muajin mars pasi në fazën play off që të çon në Kupën e Botës, “Qatar 2022”, në rast se Çekia mposht Suedinë do të përballet me fituesin e ndeshjes Rusi-Poloni.

Megjithatë, tashmë të tre-ja ekipet kanë refuzuar të luajnë kundër Rusisë dhe pritet një vendim nga UEFA dhe FIFA për sa i përket kësaj situate. /oversport.tv

Foto: Česká fotbalová reprezentace Facebook