Lionel Messi sapo ka fituar për herë të 7-të Topin e Artë, por në fushën e pasurive të paluajtshme punët nuk po i ecin shumë mirë. Një hotel luksi që kampioni argjentinas ka blerë në jug të Barcelonës mund të prishet për shkak të një vendimi të gjykatës.
Kur luante për skuadrën “blaugrana”, “pleshti” bleu për 30 milion euro hotelin “Mim Sitges” në vitin 2017. Sipas asaj që shkruajnë mediat spanjolle, ndërtesa rrezikon të shembet pasi ndërtimi i saj është në kundërshtim me rregullat urbanistike.
Pronari i mëparshëm ishte në dijeni të parregullsive dhe të urdhrit të shembjes në momentin që i ka shitur pronën Messit. Lojtari i PSG-së nuk ka qenë në dijeni të këtyre fakteve dhe nuk ka dashur të komentojë këtë situatë.
Hoteli me 4 yje, me spa dhe 77 dhoma, menaxhohet nga grupi Majestic Hotel dhe gjendet 50 metra nga plazhi i vendit turistik Sitges. / Oversport.tv