Shqipëria ka mundur për herë të parë në histori Hungarinë, me një gol të Armando Brojës. Kuqezinjtë reaguan pas humbjes ndaj Polonisë dhe tre pikët i mbajnë në garë për vendin e dytë në grup.
Trajneri Edy Reja foli pas ndeshjes për mediat dhe theksoi se ekipi i tij e meritoi plotësisht fitoren. Mes të tjerash ai vlerësoi lojën e mirë të Myrto Uzunit, i cili ishte titullar këtë herë.
“Dua të përgëzoj Hungarinë. Kanë bërë një ndeshje të mirë dhe e mbajtën ndeshjen hapur deri në minutën e 90-të. Po flasim për një ekip shumë cilësor, por ne ishim shumë të motivuar. Përveçse vumë zemrën në fushë, ishim shumë mirë edhe në aspektin psikologjik.
E përdorëm kokën, siç thuhet në gjuhën sportive. Duhet thënë që bëmë sërish disa gabime, që duhen korriguar në vazhdim. Edhe në Poloni luajtëm shumë mirë dhe për mendimin tim duhet të kishim ardhur në shtëpi me një rezultat pozitiv.
Sigurisht që Hungaria ishte një kundërshtar shumë i fortë dhe ishte e vështirë për ne të çanim mbrojtjen e tyre. Gjithsesi mund të them se ne e kemi merituar plotësisht fitoren”, tha trajneri italian.
Në lidhje me beratasin që luan me Ferencvaros, Reja tha: “Uzuni ka bërë një ndeshje të madhe, ishte shumë i impenjuar. Punoi në sulm dhe në mbrojtje, ka punuar shumë në mesfushë kur nuk e kishim topin. Ka pasur një rendiment të shkëlqyer kundër Hungarisë”. / oversport.tv